Se shqiptarët janë të lindur për sporte luftarake, flet edhe rasti i shqiptarit nga Kumanova, Miraxh Rexhepi, i cili jeton dhe vepron në Wells të Austrisë. I shkuar para nëntë viteve, Rexhepi ka bërë një emër të njohur në sportin e Free fight (luftë e lirë), që është pak i njohur në Maqedoni, ndërsa në vendet europiane gëzon një popullaritet të theksuar.
Rexhepi, gjatë karrierës së tij ka shënuar rezultate shumë të mira (9 fitore dhe 1 humbje), të gjitha këto suksese si anëtar i klubit "Safet gym".
Ai këtyre ditëve ka ardhur për pushime në vendlindje dhe në një bisedë për "Lajm" rrëfen për karrierën e tij në këtë sport.
"Kam filluar para 9 viteve. Trajner i imi është Safet Feratoviç, i cili është iniciator kryesor që unë merrem me sportin e Free fight-it. Është një sport i vështirë, por them se jam i kënaqur me suksesin e deritanishëm. Deri tani jam ndeshur me holandez, brazilan dhe italian, me ç’rast kam dal fitues. Këtij të fundit ia kam marrë shiritin", thotë 29-vjecari.
"Garat organizohen nga klubet dhe ato mbahen nga dy ose tre herë në vjet. Unë bëj garë në kategorinë gjysmë të rëndë. Në këtë sport nuk ka rregulla, d.m.th. mund ta godasësh me shqelma, grushte e të tjerë. Meçi zgjat dy herë nga pesë minuta. Është një sport i vështirë që do kushte të mira", sqaron Rexhepi, duke shtuar se me këtë sport do të vazhdojë edhe në të ardhmen