Sot në qendrën për kulturë në Tetovë, filloi audicioni për përzgjedhjen e aktorëve të cilët do të luajnë në filmin e metrazhit të gjatë “Midis Dashurive”.
Me një skenar të Petrit Menaj, dhe regji të Ekrem Xanit, filmi pritet që të fillojë xhirimet këtë vit, kurse të përfundojë gjatë vitit të ardhshëm, kur edhe do të ketë premierën e tij në dhjetëvjetorin e luftës së 2001-it.
“Qëllimi i kësaj është që pjesë e këtij filmi, e kësaj ngjarjeje të rëndësishme, të jenë kryesisht artistët nga rrethinat e zonave të luftës. Për të treguar që neve jo vetëm luftë të vërtetë por dimë që të bëjmë edhe një film për luftën, dimë që të hyjmë në brendinë e ndjenjave dhe shqetësimeve që ka pasur ajo luftë. Qëllimi është që kjo frymë këta dëshmorë të jetojnë në zemrat e popullit për të cilin ata luftuan”, u shpreh Petrit Menaj, skenarist i filmit.
Ndërkaq, regjisori i filmit “Midis Dashurive” , Ekrem Xani, tha se filmi ka një përmbajtje nga lufta e 2001-shit, ndërsa do të realizohet me teknikat më të reja të xhirimit. Edhe skenaristi edhe regjisori, kanë bërë të ditur se filmi do të financohet me mjete nga institucione të ndryshme, individë, biznesmenë apo më thjesht thënë, të gjithë ata që përkrahën luftën e 2001-shit, janë duke përkrahur edhe xhirimin e këtij filmi.
Edhe pse përmbajtja e skenarit të filmit nuk zbulohet paraprakisht, pritet që të paraqesë disa aksione luftarake të UÇK-së dhe raste të rënies së dëshmorëve në luftën e 2001-shit. Bashkim Sulejmani