Lufta e Kosovës në 1999 dhe mundësia e krijimit të një Shqipërie të Madhe duket se e ka nervozuar tej mase Athinën zyrtare. Kjo bëhet e ditur sipas një raporti të Kongresit amerikan, të publikuar së fundmi edhe në Wikileaks, bën të ditur sot e përditshmja Gazeta Shqiptare. Raporti i hartuar në 27 maj të vitit 1999 nga specialistja e çështjeve të jashtme në Departamentin e Shtetit, Carol Migdalovitz, përshkruan situatën në Ballkan gjatë luftës së Kosovës dhe frikën e Greqisë se kjo mund të shkatërrojë ekonominë e vendeve të rajonit dhe nëse një rezolutë për Kosovën mund të mbështetet, nxit edhe mundësinë për krijimin e një Shqipërie të Madhe. “Greqia i frikësohet një rezolutë për Kosovën në Këshillin e Sigurimit që do të krijonte një shtet të pavarur, por në vetvete do të nxiste krijimin e Shqipërisë së Madhe, që do të destabilizonte rajonin dhe do të provokonte një luftë më të gjerë”, shkruhet në këtë dokument.
Por, sipas këtij raporti te publikuar sot ne Gazeta Shqiptare, në një tjetër skenar që përshkruhet nga Athina, refugjatët mund të tentojnë të hyjnë në territorin grek dhe në këtë rast do të zmbrapseshin me forca nga forcat ushtarake, gjë që do të nxiste Turqinë të ndihmonte Shqipërinë në këtë konflikt. Greqia strehon rreth 400,000 emigrantë shqiptarë dhe do të ishte tepër i ndjeshëm reagimi i tyre ndaj keqtrajtimit të emigrantëve. Nga ana tjetër, thekson raporti, Greqia i frikësohet pavarësisë së Kosovës, që në vetvete do të nxiste krijimin e Shqipërisë së Madhe, që do të destabilizonte rajonin dhe do të provokonte një luftë më të gjerë.