Dy futbollistët më të mirë botëror për momentin, Lionel Mesi dhe Kristiano Ronaldo treguan një formë fantastike gjatë tërë vitit 2010. Jo vetëm që dëshmuan klasin e tyre botëror, mirëpo ata dy ishin edhe dy golashënuesit më të spikatur gjatë vitit që po e lëmë pas. Magjistari i katalanasve, Leo Mesi, në 54 përballje të zhvilluara për skuadrën e tij në vitin 2010 shënoi 58 gola apo 1.07 gola në çdo ndeshje që e bën atë futbollistin më efikas në kampionatet më të forta botërore. Menjëherë pas tij renditet portugezi Ronaldo nga Reali i Madridit i cili edhe pse nuk kishte suksese ekipore, shkëlqeu me formën e tij individuale duke arritur të shënojë 46 gola në 48 ndeshje të zhvilluara për skuadrën mbretërore. Pika e dobët e të dy futbollistëve në këtë vit, ishte mossuksesi i kombëtareve të tyre në Kampionatin Botëror që u mbajt në Afrikën e Jugut.